9.4 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Buy now

spot_img

Ekskluzive: Rrëfimi rrëqethës i Mërgim Vojvodës për Kosovën

Dashuria e tij për Kosovën bëri që ai ta zgjedhë ekipin e “Dardanëve” kur i erdhi koha për të vendosur në mes vendlindjes dhe Shqipërisë.

Përderisa ishte duke i lidhur këpucët në zhveshtoren e stadiumit “Fadil Vokrri”, gjithçka që Mërgim Vojvoda mund të mendonte para ndeshjes më të rëndësishme të vendit të tij ishte suksesi që do ta tregonte ai dhe bashkëlojtarët e tij vetëm disa minuta më vonë.

Mbrëmjen e 20 nëntorit 2018 “Dardanët” e kishin pritur me padurim, pasi që atë natë në Prishtinë do të zhvillohej ndeshja më e rëndësishme në historinë e Kosovës, shkruan prishtinapress.eu

Vojvoda dhe djelmoshat e tjerë të Bernard Challandes e pritën në shtëpi ekipin kombëtar të Azerbajxhanit dhe e siguruan një fitore me rezultat 4-0, duke u shpallur fitues të Grupit 3 të Ligës D në kuadër të Ligës së Kombeve.

Përveç tre pikëve të fituara nga kjo ndeshje, Kosova u shpërblye për arritjen e saj me promovim nga Liga D në Ligën C, si dhe e siguroi një vend në play-off për kualifikim në Kampionatin Evropian.

Rëndësia e kësaj ndeshje solli me vete edhe mjaft shumë presion mbi futbollistët e rinj të Kosovës. Megjithatë, Vojvoda nuk e kishte ndierë aspak këtë presion dhe gjithçka që kishte menduar para ndeshjes ishte kualifikimi nga ky grup.

“Atmosfera në zhveshtore ishte shumë e qetë. E kemi ditur të gjithë se çfarë duhet të bëjmë dhe e kemi treguar këtë gjë edhe në fushën e lojës”

Kjo nuk ishte hera e vetme që besimi në aftësitë e tij i hyri në punë Vojvodës. Përderisa shumë fëmijë ëndërrojnë të bëhen futbollistë, shumë pak nga ta i shkojnë deri në fund kësaj ëndrre. Për Vojvodën, njëra ndër gjërat që i ndihmoi për të mos u dorëzuar asnjëherë nga kjo ëndërr ishte pikërisht vetëbesimi i tij.

“Jo, asnjëherë [nuk kam menduar të dorëzohem nga ëndrra për t’u bërë futbollist] sepse e kam pasur përkrahjen nga familja dhe gjithmonë kam pasur besim te vetja”, është shprehur 23-vjeçari me prejardhje nga Skënderaji.

Përveç një periudhe gjashtëmujore kur kishte luajtur në Gjermani, për klubin Carl Zeiss Jena, Vojvoda e ka kaluar të gjithë karrierën e tij si futbollist, edhe si fëmijë, në klube të Belgjikës, ku edhe jeton aktualisht.

Ai fillimisht kishte debutuar në futbollin e kombëtareve me Shqipërinë U-21 në tetor të vitit 2014, kur kishte qenë ende 18-vjeçar. Megjithatë, dashuria e tij për Kosovën bëri që ai ta zgjedhë Kosovën, e jo Shqipërinë, kur erdhi koha të debutojë për ekip të parë.

“Gjithmonë kam thënë që nëse Kosova bën ekip dhe mua më jepet mundësia për të luajtur aty, do të jem 100 për qind i gatshëm. Pas ndeshjes kundër Azerbajxhanit, jam ndierë shumë, shumë krenar dhe shumë i lumtur për popullin e Kosovës”, ka bërë të ditur kosovari, i cili debutoi për Kosovën më 11 korrik të vitit 2017.

Pas suksesit që Vojvoda dhe shokët e tij treguan në Ligën e Kombeve, Kosova do të tentojë ta përsërisë këtë sukses edhe në ndeshjet e grupit kualifikues për Kampionatin Evropian. Në këtë fazë, Vojvoda do ta ketë mundësinë të luajë kundër Anglisë në stadiumin Wembley.

Megjithatë, mbrojtësi i krahut të djathtë nuk mund ta mendojë as këtë ndeshje kundër Anglisë as ndonjë ndeshje tjetër si më të veçantë, pasi që, për të, çdo ndeshje e luajtur me fanellën e Kosovës është mjaft emocionuese.

“Të gjitha ndeshjet me Kosovën i luaj me emocion dhe e jap gjithmonë 100 për qindëshin tim”, është shprehur kosovari i klubit belg, Mouscron.

Jeta e Vojvodës tani drejtohet nga aktivitetet futbollistike. Ai duhet ta organizojë ditën në bazë të orarit të ushtrimeve dhe të ndeshjeve të tij. Mundësinë për ta fituar këtë stil jetese dhe respektin e kosovarëve të cilët i shikuan me pasion ndeshjet e tij për “Dardanët”, Vojdovës ia kishte dhënë fillimisht vëllai i tij.

“Vëllai im i madh ka luajtur futboll dhe ai më ka nxitur edhe mua që të filloj të luaj futboll qysh në moshën pesëvjeçare”, ka treguar për Express 23-vjeçari , i cili deri më tani i ka bërë 15 paraqitje për Kosovën.

Dashuria për futbollin nuk është e vetmja gjë që e definon Vojvodën si njeri. Përderisa shumë lojtarë të tjerë mund ta mbathin këpucën e majtë para të së djathtës për t’iu sjellë fat të mbarë në ndeshje, Vojvoda nuk praktikon diçka të tillë.

Megjithatë ai e ka një shprehi tjetër, të cilën nuk e lë anash as ditën e ndeshjeve. Futbollisti kosovar falë vaktet e namazit, e madje shquhet edhe për postimet e tij fetare. E këto madje shpesh ngjallën shumë reagime, por diçka e tillë s’e impresionon atë.

“Jo, nuk e kam problem. Unë e kam për vete dhe nuk më pengon çka mund të thonë njerëzit e tjerë”, përfundon ai.

Rrugëtimi i Vojvodës me Kosovën sapo ka filluar dhe 23-vjeçari synon arritje të mëdha me “Dardanët” para se t’i vijë fundi karrierës së tij si futbollist. Arritja më e madhe në karrierë për Vojvodën do të ishte triumfi në Kupën e Botës me ekipin kombëtar të vendit të tij.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img