“Në takime kemi diskutu për lëndën” ka rrëfyer Sadiku.

Sipas tij takimet ishin aranzhuar nga Rizam Hoxha, personi që shihet në pamje duke e pranuar zarfin me para.

Takimet janë konfirmuar edhe nga burri i prokurores Gashi.

Bajram Gashi në një përgjigje ka thënë se takimi ishte caktuar nga Rizam Hoxha mirëpo sipas Gashit ai e kishte njoftuar se nuk mund të kryente punë.

“Ju kam bërë të qartë që nuk mund t’i ndihmoj asgjë”, ka thënë Gashi në një përgjigje me email për emisionin.

Ai ka thënë se për këtë takim nuk e kishte njoftuar gruan.

Në rrëfimin e tij Dardan Hoxha ka thënë se ky takim kishte ndodhur një natë para se prokurorja të jepte fjalën përfundimtare moment ky kur Prokuroria grumbullon provat dhe i paraqet para Gjykatës.

“Kur kemi shku në Gjykatë nuk na e kanë hjekë asnjë vepër”, ka rrëfyer Hoxha.

Hulumtimi zbardh takime të tjera në mes burrit që mori paratë, Rizam Hoxha dhe familjes së Dardanit.

Ky i fundit ishte dënuar me burg nga Gjykata e Prizrenit ndërsa pas këtij momenti Dardani kishte nisur të kërcënonte se do i publikonte materialet filmike ku ai i dorëzonte paratë.

Të dhënat tregojnë që në këtë kohë ishte organizuar një takim në mes Bajram Gashit,Rizam Hoxhës, Sadik Hoxhës dhe Dardan Hoxhës.

Në këtë takim, i cili është filmuar, ka pasur biseda interesante ku janë përmendur dorëzimi i parave ndërsa në disa momente Bajram Gashi ka përmendur se mund ta denoncojë Dardanin për shantazh dhe kërcënim.

Në rrëfimin e tij Dardan Hoxha pretendon se në këtë takim kishte marrë zotim nga Bajram Gashi që nëse rasti nuk do shkonte tutje prokurorja nuk do bënte ankesë.

“Më ka thënë që nëse nuk i kërkon kryeprokurori prokurorja nuk bën ankesë”, ka thënë Hoxha.

Ai për këtë çështje ka paraqitur një video-incizim nga ai takim ku Bajram Gashi dëgjohet duke përmendur ankesën dhe mundësinë që kryeprokurori t’ia kërkonte këtë prokurores Gashi.

Në bisedë Gashi përmend edhe dënimet që Rizam Hoxha do i merrte në rast se do dërgohej ky rast në prokurori e po ashtu dënimet që Dardan Hoxha do i merrte në rast se ai do denoncohej për kërcënim.

“Ky pesë e ti tri”, dëgjohet duke thënë Gashi.

Ai madje dëgjohet duke thënë se këtë denoncim nuk po e bën për shkak se po i dhimbset Dardanit.

I pyetur për këtë takim Bajram Gashi nuk e ka mohuar takimin me dy personat e dënuar nga akuza e ngritur nga gruaja e tij.

Ai ka thënë se këtë takim e kanë realizuar për të sqaruar disa kërcënime ndaj familjes së tij ndërsa thotë se përmendjen e dënimeve e kishte bërë për ta paralajmëruar Hoxhën për t’i ndaluar kërcënimet.

Në të tërë këtë histori prokurorja Ervehe Gashi ka thënë se nuk ka ditur asgjë për këtë rast.

“Për mua lënda është përfunduar siç duhet dhe personi është dënuar me aktakuzën time”, ka thënë Gashi.

Ajo ka thënë se nuk ka qenë e njoftuar për këto takime dhe për mundësinë që për dosjen të jenë paguar paratë. Ajo madje ka thënë që as burri i saj nuk e kishte njoftuar për këtë ngjarje.

Dosja me materialet e transmetuara është pjesë e një hetimi  në Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe hetimet janë duke u zhvilluar me një intensitet të lartë.