8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Buy now

spot_img

Matoshi: MMPH-ja nuk ka dhënë leje për ndërtimet te Liqeni i Badovcit

Ministri në detyrë i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka reaguar në lidhje me ndërtimet pranë Liqenit të Badovcit të cilat kanë nxitur reagime të shumta te qytetarëve.

Matoshi në një komunikatë për media thekson se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka kompetenca që në këtë rast të lëshoj leje ndërtimore.

“Bazuar në njoftimet e bëra nga ana e një grupi të qytetarëve si dhe ngritja e shqetësimit të mediave lidhur me iniciativën rreth një projekti i cili synon te ndërtohet afër Liqenit të Badovcit nga Investitori KAWA Group, 4M Group si dhe një pronari privat të tokës (Rrahman Hajredini), dhe që në vazhdimësi është duke u potencuar se MMPH ka dhënë leje për një projekt të tillë, ju informoj se MMPH nuk ka kompetenca që në këtë rast të lëshoj leje ndërtimore”, thuhet në njoftim.

Ministria po ashtu, sipas Matoshit nuk ka pranuar aplikim e as nuk ka dhënë pëlqim mjedisor për kompanitë dhe pronarin e tokës në fjalë, ku po thuhet se do të ketë ndërtime.

Ministri në detyrë, përmend gjatë sqarimit të tij se MMPH ka përgjegjësi që përveç pjesës së Planifikimit Hapësinor, të mbrojë edhe Zonën e Mbrojtur Ujore të Liqenit të Badovcit.

“Gjithashtu në bazë të gjitha të dhënave që kemi në MMPH, ju sigurojmë se as kompanitë në fjalë dhe as pronari i tokës, nuk ka aplikuar dhe nuk është pajisur me pëlqim mjedisor nga MMPH-ja. Sipas kompetencave tona si ministri, përveç pjesës së Planifikimit Hapësinor ne gjithashtu jemi përgjegjës edhe për zonat e mbrojtura dhe në rastin konkret, Zonën e Mbrojtur Ujore të Liqenit të Badovcit, sipas Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr. 16/127 të datës 24.04.2013”, thuhet më tej.

Matoshi tha se ka kërkuar informacione nga Komuna e Prishtinës në lidhje me këtë projekt, ndërsa për çfarëdo zhvillimi në atë pjesë, ai tha se duhet jetë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Andaj çfarëdo zhvillimi i planifikuar në atë pjesë duhet të jetë në përputhje të plotë me legjislacionin dhe kriteret e parapara si dhe t’i nënshtrohet lejeve përkatëse dhe procedurave të parapara me ligj, vetëm pas këtyre procedurave mund të konstatohet se a mund të realizohen projektet e tilla ose jo. Lidhur me këto shqetësime, sot i kemi dërguar një shkresë për të kërkuar informata nga Komuna së Prishtinës. Dëshiroj t’ju siguroj juve dhe të gjithë qytetarët e vendit se inspektorati i MMPH-së dhe Departamentet tjera përgjegjëse brenda MMPH-së do të jetë aktive në këtë çështje dhe do të kujdesen që të mos ndodhë asnjë veprim i cili mund ta cenoj zonën e mbrojtur të Liqenit te Badovcit dhe kualitetin e ujit nga kushdoqoftë”, thotë Matoshi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img