9.1 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Buy now

spot_img

Partitë politike po mendojnë për zgjedhje të parakohshme

Koalicioni qeverisës i Kosovës është duke planifikuar për ta riaktivizuar planin e saj për ta hedhur në votim ratifikimin e marrëveshjes shumë të diskutueshme të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi – dhe dokumenti mund të vihet para parlamentit tashmë në fillim të marsit.

Koalicioni qeverisës, i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka nevojë për dy të tretat e votave të deputetëve për ta kaluar marrëveshjen, të cilën opozita e ka kundërshtuar që nga fillimi.

Kryeministri Isa Mustafa u detyrua ta tërheqë marrëveshjen më 1 shtator 2016, për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme në mesin e deputetëve të koalicionit qeveritar.

Por rihapja e çështjes rrezikon të zbulojë ndarjet e reja-të vjetra në skenën politike të Kosovës dhe duke shkaktuar debate të reja për zgjedhjet e mundshme të parakohshme.

Aktorët politikë në dy blloqet, të pushtetit dhe opozitës duken të ndarë për çështjen e zgjedhjeve.

Disa zyrtarë të PDK-së mbështesin zgjedhjet e reja. “Është një disponim për zgjedhje të parakohshme brenda PDK-së”, tha deputeti Shaip Muja në një intervistë televizive më 13 shkurt.

Por, LDK dhe lideri i saj, kryeministri Mustafa, kanë hedhur poshtë këtë opsion.

“Qeveria ime është përballur me kërkesën për t’i dhënë fund mandatit të saj që nga dita e saj e parë në punë, dhe kjo kërkesë shpesh është pasuar nga gurë, koktej molotovi dhe gaz lotsjellës në parlament”, tha Mustafa për BIRN më 21 shkurt.

Ai po i referohej protestave shpesh të dhunshme të opozitës kundër marrëveshjes për demarkacionin si dhe në krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Megjithatë, partitë e opozitës janë të kujdesshme në lidhje me zgjedhjet e parakohshme dhe për lidhjen e tyre me marrëveshjen e demarkacionit.

“Zgjedhjet e parakohshme nuk duhet të lidhen me demarkacionin. Duket se shanset për zgjedhje të parakohshme janë, por kjo nuk varet nga opozita”, tha për BIRN, Muharrem Nitaj zëdhënësi i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Derisa disa politikanë kundërshtojnë zgjedhjet në tërësi, të tjerët vetëm do t’i shqyrtojnë ato së bashku me zgjedhjet lokale në vjeshtën e vitit 2017.

Historia e mandateve të papërfunduara

Legjislatura aktuale e Kosovës është e pesta që votuesit e Kosovës e kanë zgjedhur dhe e treta që nga pavarësia në vitin 2008.

Vetëm dy legjislatura në epokën e UNMIK-ut, misionit të OKB-së në Kosovë, kanë përfunduar mandatet e rregullta, në vitin 2004 dhe në vitin 2007.

Për më tepër, kjo ishte kryesisht si rezultat i ndërhyrjes së administratës ndërkombëtare të Kosovës. Asnjë qeveri tjetër nuk e ka përfunduar mandatin e tyre të rregullt.

Koalicioni PDK-LDK- komunitetet pakicë i zgjedhur në vitin 2008 përfundoi mandatin e tij në vitin 2010.

Koalicioni i PDK-së dhe Aleancës Kosova e Re, AKR, e Behgjet Pacollit në vitin 2011 përfundoi mandatin e tij gjashtë muaj më herët, në vitin 2014, pasi PDK dhe LDK ishin pajtuar për zgjedhje të parakohshme.

Koalicioni aktual qeverisës është përballur me presionin e vazhdueshëm për të dhënë dorëheqje që nga dita e parë në detyrë.

Arsyeja kryesore për këtë është sistemi proporcional zgjedhor dhe kuota e lartë e pakicave, e 20 vendeve të rezervuara nga 120.

Për shkak të kësaj, është e vështirë për çdo parti politike që e vetme të marrë shumicën e vendeve në parlament.

Koalicionet qeverisëse kanë shfaqur paqëndrueshmëri si rezultat i marrëdhënieve të ndërsjella në mes partnerëve të koalicionit.

Thirrje për zgjedhje të reja të parakohshme janë bërë më fort që nga nëntori i kaluar, kur lideri i PDK-së dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka përmendur zgjedhje të mundshme të parakohshme, “në qoftë se ka miratim ndërmjet partive politike”.

Shumë e kanë lidhur këtë deklaratë me spekulimet se një numër i zyrtarëve të PDK-së mund të jenë të akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale në Hagë.

Megjithatë, koha kur Veseli e ka dhënë deklaratën duket se kanë qenë e motivuar shumë nga mosmarrëveshjet në rritje brenda koalicionit qeverisës në lidhje me transfertat buxhetore për vitin 2017, pasi secila parti në pushtet kërkonte më shumë para për mbështetësit dhe rajonet e saj.

Mosmarrëveshjet ndërmjet LDK-së dhe PDK-së arritën kulmin me përfaqësuesit e të dy palëve duke akuzuar njëri-tjetrin në publik.

Pas këtyre përplasjeve mbi alokimet buxhetore nga Ministria e Financave, të cilën e kontrollon LDK-ja, PDK-ja mori atë që donte, dhe diskutimi i shkurtër për zgjedhje të parakohshme u qetësua.

Kjo situatë e përkohshme ka mbështetur pretendimet se deklarata e Veselit ishte projektuar për të përforcuar presionin e PDK-së tek LDK-ja për të rritur përfitimet për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, dhe familjet e tyre, shumë prej të cilëve janë mbështetës të PDK-së.

“Ne morëm 95 për qind të kërkesave tona për alokimet buxhetore të miratuara në kuvend”, tha një zyrtar i PDK-së që donte të mbetej anonim për BIRN.

“Ne mund të kishim mbajtur zgjedhje të parakohshme këtë pranverë, por do të jetë e vështirë që të ketë dy parë zgjedhje të ndara [Zgjedhjet komunale janë në tetor] në një vit, kështu që ka shumë mundësi që të dy palë zgjedhjet, komunale dhe parlamentare të mbahen së bashku në vjeshtën tjetër”, shtoi i njëjti zyrtar.

Veseli pastaj tha se në fund të muajit të ardhshëm, ai do t’i kërkojë udhëheqjes së PDK-së për të mbështetur “platformën – planin tim – për Kosovën. Kjo nuk është një detyrë e vogël dhe unë do ta marrë atë shumë seriozisht, si kryetar i PDK-së dhe Kryetar i Kuvendit”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Kjo u interpretua gjerësisht si një shenjë se Veseli mund të vërë përpara kandidaturën e tij për të drejtuar qeverinë e ardhshme të Kosovës, pas zgjedhjeve të parakohshme.

Opozita e ndarë rreth zgjedhjeve të parakohshme

LDK-ja tani duket të jetë partia e vetme që po refuzon mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në vitin 2017.

Zyrtarë të LDK-së besojnë se koalicioni aktual do të përfundojë mandatin e tij, i cili skadon në qershor të vitit 2018.

“Individët në të dyja palët [LDK dhe PDK] duan zgjedhje të parakohshme këtë vit. Megjithatë, as ne [LDK], as partneri i koalicionit nuk kanë kërkuar zyrtarisht për zgjedhje të parakohshme. Këto janë vetëm dëshirat e individëve”, tha për BIRN, Bajram Gecaj, zëvendësministri i Pushtetit Lokal dhe këshilltar i Mustafës.

“Mandati do të përfundojë brenda afatit të rregullt. LDK-ja mbështet cikle të rregullta zgjedhore, sepse ne besojmë se është në interesin tonë kombëtar”, shtoi Gecaj.

Fakti që partia opozitare AAK- kundërshtari më i zhurmshëm i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi – nuk duan të lidhin dështimin e mundshëm të ratifikimit të demarkacionit me zgjedhjet e parakohshme mund të ketë të bëjë me faktin se opozita është e ndarë në këtë dhe në çështje të tjera.

Ekziston edhe problemi se asnjë parti opozitare nuk ka shanse të jetë e para në rast të zgjedhjeve të parakohshme.

Në pranverën e vitit 2016, kampi i bashkuar opozitar, i përbërë nga Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, ishin ndarë mbi përbërjen e një listë të përbashkët zgjedhore në rast të zgjedhjeve të parakohshme, dhe mbi taktikat e tyre kundër qeverisë.

Aktualisht, Vetëvendosje dhe AAK – e cila është tashmë në koalicion me Nismën janë duke u përpjekur për të arritur një marrëveshje me Aleancën Kosova e Re, AKR, por nuk ka shenja të afrimit në horizont.

Vetëvendosje, popullariteti i të cilës sipas sondazheve është në rritje, ndërkohë ka thënë se do të garojë në zgjedhje e vetme.

Megjithatë, vizita e fundit e themeluesit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, te lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj – i cili është në Francë, në pritje të vendimit të gjykate franceze nëse do ta lirojë atë, ose të pranojë kërkesën e Serbisë për ekstradimin e tij për akuzat e krimeve të luftës – mund të jetë një shenjë se këto dy parti opozitare janë duke lëvizur më afër së bashku.

Duke gjykuar nga të gjitha këto shenja dhe deklarata, duket se shumica e partive të opozitës nuk janë të interesuar për zgjedhjet e parakohshme në pranverë, por do të jenë të prirur t’i kenë ato në vjeshtë, së bashku me zgjedhjet lokale.

Nga ana tjetër, Lista Serbe, e cila është partner i koalicionit aktual qeverisës, por që gjithashtu ka bojkotuar qeverinë dhe parlamentin që nga viti i kaluar, ka pak interes në vazhdimin e legjislaturës aktuale, për aq kohë sa nuk ka progres për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në qoftë se asociacioni [serb] formohet, ne kemi interes që kjo qeveri të vazhdojë mandatin e tij. Në qoftë se asociacioni nuk inicohet, neve nuk na intereson nëse kjo qeveri bie “, tha për BIRN Srdjan Popovic, deputet nga Lista Serbe.

Rezultati mbetet i pasigurt.

“Në politikë, kurrë nuk mund të them se zgjedhjet nuk do të mbahen. Ne jemi të përgatitur për zgjedhje të parakohshme dhe në çdo rast, LDK-ja do të kandidojë si LDK, së bashku me një koalicion të mundshëm me ato parti që bëhen pjesë e listës së saj “, përfundoi Gecaj.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img